Reforma
NDRYSHIMET NË KODIN E PROCEDURËS PENALE

1. Emërtimi
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale: më shumë garanci për qytetarin, pa dobësuar hetimin
2. Fusha
Drejtësi penale dhe të drejtat e njeriut
3. Institucioni përgjegjës
Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe me Ministritë e Drejtësisë të Italisë dhe Francës.
4. Çfarë është dhe çfarë synon?
Projektligji ndryshon rregullat që përcaktojnë si vepron shteti kur dyshon se dikush ka kryer një vepër penale: si e thërret, si e pyet, si e kontrollon, kur mund t’i kufizojë lirinë dhe si e dërgon në gjyq. Është ndryshimi më i gjerë i Kodit pas reformës së vitit 2017. Projektligji nuk ndryshon asnjë vepër penale dhe asnjë dënim. Ai synon që kufizimi i lirisë para gjyqit të jetë përjashtim i arsyetuar me prova konkrete, që mbrojtja të ketë mjete reale dhe që çdo ndërhyrje në jetën private të kalojë nën kontrollin e gjykatës, pa i hequr prokurorisë kompetencat që i dha reforma në drejtësi.
5. Pse është e rëndësishme?
Sipas statistikave të Këshillit të Evropës, Shqipëria është ndër vendet që e përdorin më shumë paraburgimin në Evropë. Gjykata Kushtetuese ka vendosur, ndër të tjera, se përmbajtja e një telefoni nuk aksesohet pa vendim gjykate dhe se personi duhet të njihet me provat mbi të cilat i është vendosur masa. Projektligji i kthen këto standarde në rregulla të qarta, të njëjta për të gjithë, në vend që të varen nga praktika e secilës gjykatë. Kur garancitë janë të qarta, rritet edhe besimi te vendimet e drejtësisë.